Bayerni me klas në finale

Bayern Munichu e ka nëpërkëmbur Wolfsburgun në gjysmëfinale të DFB Pokal duke e mposhtur me rezultat 6-1 në Allianz Arena.
Pas një kundërsulmi, Shaqiri pasoi te Robben, i cili ia lëshoi topin Mario Mandzukicit, ndërsa kroati e hapi takimin (17’).
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane, ishte pjesëmarrës edhe në golin e dytë, sepse falë asistimit të tij, Arjen Robben doli në rast dhe e dyfishoi avantazhin (35’).
Pa përfunduar pjesa e parë (45’), Diego Ribas e ngushtoi rezultatin duke i dhënë shpresë skuadrës së tij për pjesën e dytë.
Mirëpo, pas një gjuajtje të lirë të luajtur shpejtë nga Mueller dhe Robben, topi arriti te Xherdan Shaqiri, i cili pati kohë që ta vulosë rrjedhën e këtij takimi (50’).
Mbrëmja nuk përfundoi këtu, sepse në lojë hyri Mario Gomez (77’, në vend të Mandzukic). SuperShaqiri i kësaj mbrëmjeje priti reagimin e kundërshtarëve dhe pasoi te sulmuesi gjerman i pamarkuar, i cili shënoi në portën e zbrazët (80’).
I jashtëzakonshmi Gomez realizoi edhe dy gola të tjerë (83’ dhe 86’) duke realizuar het-trik në një minutazh kaq të shkurtër. Në të dyja rastet asistoi Bastian Schweinsteiger.
Bayern Munichu që e ka fituar 15 herë këtë trofe, në finale do të përballet me fituesin e duelit në mes të Stuttgartit dhe Freiburgut.